I tmerruar nga vazhdimi i kryengritjes mbarëkombëtare të popullit iranian, regjimi i mullahëve po e vazhdon valën e gjerë të arrestimeve në mbarë vendin. Numri i të arrestuarve që nga fillimi i kryengritjes ka shkuar në mbi 12,000. Kaq shumë njerëz po arrestohen, saqë burgjet janë mbushur përtej kapacitetit me të arrestuar, dhe një numër i madh i të arrestuarve po mbahen në godina qeveritare, madje edhe në shkolla fillore.
Meqë shumë prej të burgosurve gjenden përballë torturës dhe ekzekutimit, znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka bërë thirrje sërish Këshillit të Sigurisë të Kombveve të Bashkuara, Sekretarit të Përgjithshëm, Këshillit të të Drejtave Njerëzore dhe Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut, si dhe BE-së e shteteve anëtare të saj që të marrin masa të menjëhershme për t’i ndaluar vrasjet dhe shtypjen nga regjimi iranian. Ajo i ka bërë thirrje OKB-së të dërgojë misione të gjetjes së fakteve për të vizituar burgjet dhe të burgosurit. Heshtja dhe mosveprimi përballë këtyre krimeve kundër njerëzimit vetëm sa i trimëron mullahët që të vazhdojnë me vrasjet, torturën dhe ekzekutimet, shton ajo.