Politike

Tjetër reagim i ashpër nga Meta për Ramën dhe ambasadorin e BE

Në kulim e krizës politike dhe pas deklaratave të së mërkurës, Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur ashpër kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit të BE-së në lidhje me reformën në drejtësi.

Duke cituar tog-fjalëshin e kohës së diktaturës “na fitorja në fitorje”, kreu i shtetit Shqiptar thotë se nuk ndalon askënd, të këndojë këto vargje, si në variantin solo, ashtu edhe në kor.

Reagimi ka ardhur nga zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i cili thekson: Kam vetëm një qëndrim për të dy. Presidenti i Republikës, jo vetëm i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme deri tani, në mënyrë transparente e sistematike, të dokumentuar dhe informale, konstruktive e gjithëpërfshirëse, por edhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, për të evituar vonesat, kolapsin, zbatimin e njëanshëm e përçarës dhe kapjen e sistemit. Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë.

Të mërkurën Meta foli me shqetësim për vonesat në reformimin e sistemit gjyqësor dhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të saj.

Në korrik mbushen 3 vjet që u miratua me konsensus maksimal reforma në drejtësi. Ende edhe sot rezultatet nuk po duken. Kam kërkuar nga institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, që vlerësojnë ecurinë e reformës në sistemin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon prej disa kohësh kur ajo nuk duhej të heshtte asnjë ditë”, tha Presidenti Meta.

Gjatë një fjalimi në një konferencë të Qendrës George Marshall mbi sigurinë rajonale, Meta vuri në dyshim suksesin e reformës në drejtësi.

Ne flasim për sukseset e reformës në drejtësi. Po bën 3 vite nga miratimi me konsensus i reformës në drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve” – tha Meta.

Presidenti Meta tha se kërkoi angazhimin e delegacionit të BE dhe Misionit Euralius, duke i ftuar ata bashkë me gjithë aktorët vendas, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e komisionit të ligjeve që të unifikonin një qëndrim të përbashkët, por ditën e fundit Euralius-i i çoi përgjigje zyrës së Presidentit që në takim nuk vinte dot sepse “ne jemi mision teknik”.

Kjo do të thotë që kanë marrë porosi politike. Unë nuk e di dhe sot nga kush u mor ajo porosi politike. Ky EURALIUS si i jep një vërtetim një kryetari shumë të nderuar të Komsionit të Ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim të hapur me Kushtetën e Shqipërisë. Kjo nuk mund të jetë drejtësi evropiane, në rast se nuk e shikojmë dhe nuk e vlerësojmë. Kjo nuk do të luftojë më shumë korrupsionin, krimin e organizuar dhe të garantojë të drejtat e njeriut”, theksoi presidenti.

Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj këtyre kritikave me një status në rrjetet sociale se; “Falë Vetingut Gjykata Kushtetuese është sot një djep bosh pa shejtanin brenda”. Sipas zotit Rama, kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e vet. Ai pyeti në mënyrë retorike nëse e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë datën e zgjedhjeve, që vet e dekretoi sipas Kushtetutës.

“Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme, por edhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet! S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij, mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit” – theksoi kryeministri Rama.

Lidhur me këto kritika, Delegacioni i BE në Tiranë publikoi një deklaratë mbrëmjen e të mërkurës ku theksoi se profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar, ndërsa ndihma e misionit është provuar e domosdoshme për të çuar përpara axhendën e reformave. Delegacioni deklaroi se reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar.

“EURALIUS punon ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese” – shtoi Delegacioni i BE-së në deklaratë.

BE deklaroi se reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. “Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë” – deklaroi delegacioni i BE-së.

Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, delegacioni i BE tha se sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, duhet të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me përparësi plotësisht dhe në kohën e duhur.

Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një përparësi për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do ta vazhdojë mbështetjen për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të” – theksoi delegacioni i BE-së.

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.