Politike

Danielsson: Shqipëria në kurth, nuk ka shenja për dialog

rejtori i Përgjithshëm i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Christian Danielsson: Djegia e mandateve minon integrimin. Shqipëria në kurth. Basha propozon të ndryshohet Kushtetuta.   

Lindita Bushgjokaj

Zyrtarët e Bruskelit nuk po arrijnë të gjejnë një formulë për zgjidhjen e krizës politike në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Christian Danielsson, i cili ishte dje, në Tiranë, ka dhënë dy mesazhe dje në Tiranë: Integrimi evropian në rrezik nga sjellja e opozitës dhe dështimin për të afruar pozicionet e palëve drejt një dialogu.  Në takimet e veçanta që pati me kryeministrin Edi Rama dhe më tej me liderin e opozitës “joparlamentare” Lulzim Basha, drejtori i zgjerimit në BE, Christian Danielsson tha se fatkeqësish Shqipëria gjendet në një kurth, nuk pa ndonjë shenjë që mes palëve politike të shkohet drejt zgjidhjes së krizës politike, përmes dialogut. “Bojkotimi i parlamenti nuk është në përputhje me demokracinë. Nuk dëgjova ndonjë lëvizje që mund t’i çojë ata drejt dialogut”, kështu u përgjigj Danielsson teksa u pyet nga gazetarët nëse sheh ndonjë sinjal pozitiv se opozita do të shkojë në Parlament.

Takimet

Zyrtari i lartë i BE-së e nisi ditën me kryeministrin Edi Rama, të cilin ai vetë e cilësoi si të hapur, ndërsa inkurajon vijimin e reformave.“Bisedë shumë e hapur me kryeministrin Rama për situatën aktuale politike në vend. Shqipëria duhet të vazhdojnë reformat sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të bërë një paraqitje bindëse në qershor”. Pas kryeministrit, Danielsson priti në zyrat e BE-së anëtarët e Këshillit të Emerimeve në Drejtësi. Në një postim në tëitter, zyrtari i lartë i BE-së përsëriti plotësisht mbështetjen për punën e tyre të pavarur dhe të paanshme. “Implementimi i reformës së drejtësisë dhe ecja përpara është kyçe për progresin e Shqiërisë drejt BE” thotë Danielsson. Zyrtari i lartë i BE-së Danielsson foli edhe për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe kërkoi që të plotësohen vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një gur i rëndësishëm dhe ritheksojmë mbështetjen e plotë, paanshmërinë e tij. Kjo pavarësi duhej ruajtur në të gjitha fazat e saj. Dhashë shpresën që ky këshill të merret me vendet vakante sa i takon Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë si përparësi”.  Zyrtari i BE-së takoi më pas kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Rreth orës 10:30, Danielsson priti përfaqësuesit e opozitës me në krye Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Drejtori për Zgjerimin e BE-së, informoi shkurt në rrjetet sociale mbi takimin. “Takim konstruktiv me përfaqësuesit e partive të opozitës për situatën aktuale politike. Shqipëria përballet me sfida, por mënyra e vetme demokratike për zgjidhjen e çështjeve mbetet angazhimi në Parlament. Nxitja e veprimeve të dhunshme në protestë është absolutisht e papranueshme”. Më pas rreth orës 12:00 Danielsson zhvilloi edhe një konferencë me gazetarët.

Integrimi në pikëpyetje

Në lidhje me integrimin Drejtori i Zgjerimit në BE, Danielsson tha se, “Unë kam pasur mundësinë të takohesha me kryeministrin Rama dhe udhëheqësit e opozitës. Qershori është vetëm pak muaj larg, kur shtetet anëtare do të diskutojnë ecurinë e Shqipërisë. Ne i kemi kërkuar forcave politike në Shqipëri që procesin e integrimit ta bëjnë mision kombëtar. Është fatkeqësi që nuk ndodh. Forcat politike në vend duhet të marrin vendime të përgjegjshme. Udhëheqja e përgjegjshme është e vetmja mënyrë për të krijuar trajektore për fatin e këtij vendi dhe për ta sjellë në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian. Këtë duan edhe shqiptarët. Në takimet e sotme kam qenë shumë i qartë. Sa i përket opozitës, kam theksuar se vendimi i anëtarëve të opozitës për djegien e mandateve minon në mënyrë serioze rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Pasiguria duhet eliminuar në mënyrë urgjente, Parlamenti është shtyllë e shtetit. Bojkoti është kundërproduktiv. E drejta për të protestuar është element i rëndësishëm në demokraci, por protestat të jenë të paqta dhe ata që janë përgjegjës që të mos nxisin dhunë, këtë kanë thënë edhe zonja Mogherini dhe zoti Hahn. Nga qershori i kaluar, Shqipëria ka bërë hapa përpara në reformën e drejtësisë dhe procesin e vetingut”.

Dialogu me Ramën?

Ndërsa ndërkombëtarët duket se nuk kanë ndërmend të ndërmjetësojnë një dialog mes palëve politike në vend për zgjidhjen e krizës, është folur vazhdimisht që këtë rol mund ta bëjë Presidenti Ilir Meta. I pyetur mbi këtë çështje, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi: “Nuk jam këtu për të bërë rolin e analistit, unë flas në bazë të fakteve, qëndrimeve. U kam shprehur qëndrimet e mia edhe në emër të gjithë aleatëve opozitarë për takimin që sapo kemi përfunduar. Pjesën tjetër le ta bëjnë analistët dhe gazetarët e lirë”. Fjalën e tij Basha e mbylli me bindjen se ditë më të mira për Shqipërinë do të vinë. Për këtë kërkoi edhe konfirmimin e aleates Kryemadhi e cila ndodhej në krahun e Bashës në vizitën që zhvilluan me zyrtarin e lartë të BE-së.

Soreca: Të dëgjohet ftesa për mjedis politik konstruktiv

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca ka komentuar situatën politike në vend. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, në përfundim të takimeve të Christian Danielsson në Shqipëri me aktorët politikë kërkoi që apeli i tij të mos bjerë në vesh të shurdhët, por të dëgjohet për zgjidhjen e konfliktit. “Shpresoj që të gjithë qytetarët e Shqipërisë, që ftesa jonë për të rivendosur një mjedis politik më konstruktiv, të mos mbetet i padëgjuar. Ky është një mision i përbashkët kombëtar . Danielsson përfundon një vizitë shumë intensive dhe konstruktive një-ditore në Tiranë”.

Ambasada Amerikane

Pas vizitës në Tiranë të drejtorit të Zgjerimit në BE, Christian Danielsson, Zv.Ambasadorja Amerikane, Leyla Moses-Ones, ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama. Diplomatja amerikane që prej disa muajsh drejton selinë diplomatike të SHBA-së në vendin tonë, është parë dje pasdite të hyjë në Kryeministri. Nuk ka njoftim për këtë takim as nga Kryeministria dhe as nga ambasada, por mendohet që diskutimi është përqendruar pikërisht tek kriza politike. Një ditë më parë ajo takoi Bashën dhe Kryemadhin, të cilëve mësohet t’i ketë kërkuar të dialogojnë me qeverinë dhe të parandalojnë dhunën në protesta.

Aplikimet për azil

Apeli i fundit i drejtorit të Zgjerimit në BE, Christian Danielsson, ishte dhe restaurimi i një mjedisi konstruktiv politik i cili do t’i jepte fre dhe aplikimet për azil. “Historiku i Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Operacionet e ligjit kanë vazhduar dhe kemi parë disa vendime kundër krerëve të bandave. Përpjekjet duhet të vazhdojnë për të gjithë ato elementë që u përmendën në qershorin e vitit të shkuar jo vetëm reformës në drejtësi. Në të njëjtën kohë përpjekjet e tjera janë të rëndësishme si e drejta e pronësisë dhe e drejta e pakicës, si dhe për ti dhënë fre aplikimeve të pabaza në azil. Ftesa që bëj sot për të restauruar një mjedis më konstruktiv politik që kjo thirrje të dëgjohet dhe zhvillimet të shkojnë në këtë drejtim pasi do ishte më mirë për rrugëtimin drejt BE-së”, deklaroi Zyrtari i lart i BE-së, Danielsson.

Basha kundër paktit Rama-Berisha 2008: Duam ndryshime kushtetuese

Si takimi me eurodeputetët, edhe ai me zyrtarin e lartë të BE-së, Christian Danielsson, nuk ka lëkundur në qëndrimet e saj opozitën. Pas një takimi përreth një orë e gjysmë pjesë e të cilit ishin krerët e partive opozitare, Lulzim Basha deklaroi: “Opozita sot ka pasur një mundësi tjetër jo thjesht dhe vetëm për të shprehur vendosmërinë e saj për t’i qëndruar kësaj beteje, por kemi shprehur dhe vendosmërinë tonë që jo thjesht të largohet Rama por të shembet ky sistem. Për të ndërtuar një sistem vlerash europiane në vend”. Ai deklaroi propozimin për ndryshime kushtetuese, që në thelb kërkojnë rrëzimin e paktit Rama-Berisha të Vitit 2008, kur u bënë lëvizjet në Kushtetutë.  “Kemi shprehur vendosmërinë tonë, që jo thjesht të largohet Rama, por të shembet ky sistem. Ne na duhet, patjetër, të shembim këtë sistem, duke përfshirë këtu edhe disa probleme të lindura që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese që zhbalancuan kontrollin dhe balancën e pushteteve, që me qëllimin e mirë për të larguar kandidatë për deputetë kriminelë nga zonat maxhoritare, përqendruan pushtet në duart e kryetarëve të partisë, të cilat pastaj çuan në vitin 2013 e 2017 në numrin më të lartë të kriminelëve në parlament, ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndryshimin e sistemit kushtetues, forcimin e institucioneve që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja, forcimin e rolit të njerëzve, të qytetarëve, në raport me qeverisjen. Pra, në këtë kuptim, jemi të angazhuar, si opozitë po konceptojmë, do të dialogojmë brenda opozitës dhe me qytetarët, hapat e mëtejshëm që do të hedhim”. Basha tha se opozita e konsideron regjimin e Edi Ramës të mbaruar, duke iu referuar si një kufomë që pret të kallet, ndërsa ofron formulën e zgjidhjes. “Me pak fjalë, ne e konsiderojmë regjimin e Edi Ramës të mbaruar, një kufomë politike që pret të kallet. Formula e zgjidhjes është kjo: regjimi i Edi Ramës ka mbaruar, shqiptarët e kanë përcaktuar rrugën në të cilën do të ecet dhe opozita ka për detyrë që këtë rrugë ta konkretizojë me vizion që edhe në Shqipëri të fillojnë të ndërtohen institucione, ato praktika ku respektohet dinjiteti i njeriut, ku nuk shkelen e të drejtave të njeriut, ku qeveria dhe parlamenti janë në krah të njerëzve dhe jo kundër njerëzve, kundër kriminelëve dhe jo në krah të kriminelëve. Për këtë, padyshim duhet një reformë e thellë kushtetuese, duhet një reformë e thellë elektorale, por, mbi të gjitha, duhet vullneti politik. Tani te vullneti politik, meqë pyetët për formulën, hetimi i plotë i dosjes 339, hetimi i plotë i dosjes 184 dhe çuarja para përgjegjësisë penale e politikanëve që kanë vjedhur votat bashkë me krimin e organizuar, janë po aq të rëndësishme, mos të them më të rëndësishme se sa ndryshime në ligj që shkruhen dhe pastaj nuk zbatohen”, tha Basha.

PD-ja protestë edhe në Athinë, njofton tubim tek ambasada

Jo vetëm brenda kufijve. Partia Demokratike tashmë po bëhet gati që të nisë valën e protestave edhe jashtë Shqipërisë. Kryetari i degës së PD-së në Greqi, Fatmir Gjoci u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinj që të mblidhen për të protestuar ditën e diel në datë 10 mars në orën 11:00 përpara ambasadës shqiptare në Athinë kundër qeverisë Rama. Në këtë mënyrë Partia Demokratike eksporton protestën jashtë vendit duke krijuar një imazh negativ në sytë e të huajve për Shqipërinë, në prag të vendimit për hapjen e negociatave në qershor.

Presidenti grek mesazh: Nuk ka BE nëse përmendni Çamërinë

Nga Mali i Zi, Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos i ka dërguar një mesazh të qartë Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë. Sipas tij nëse duan që këto vende të kenë një perspektivë evropiane, duhet të respektojnë plotësisht ligjet evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare. Kreu i shtetit helen thotë se Greqia mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë, por mosrespektimi i minoritetit grek dhe pretendimet për çamët, përbëjnë dy pengesa të pakapërcyeshme për Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. “Rrjedhimisht, sjelljet si këto ndaj pakicës etnike greke, që brutalisht e nënvlerësojnë vlerën e jetës njerëzore ose që shkelin të drejtat themelore, për shembull, të drejtën e pronës, përbëjnë një pengesë të pakapërcyeshme për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Një tjetër pengesë lidhet me çdo pretendim të të drejtave të të ashtuquajturve çamë shqiptarë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të pamëshirshëm të nazistëve, siç e ka vërtetuar historia”, tha Presidenti i Greqisë.

Sajmir Tahiri “fiton” përsëri, Gjykata nuk shtyn hetimin

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për prishje të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke lënë në fuqi vendimin për moszgjatje të hetimit ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. I pyetur nëse është njohur me prova të reja nga organi i akuzës siç është folur në media, ai tha: “Kemi marrë fashikujt e përgatitur nga prokuroria që do ti çohen gjykatës dhe do ti gjykojë gjykatësi i seancës paraprake për të vlerësuar nëse çështja do të shkojë në gjyq apo do të pushohet”. Maks Haxhia tha se pala mbrojtëse do të bëjë kundërshtimet e veta. “Do t’i parashtrojmë gjykatës të gjithë rrethanat që ka materiali. Është një material që nuk ka asnjë bazë ku mbështet kërkesa e prokurorisë. Është absurditet pretendimi që ka prokuroria nën mangë, gjë që jo vetëm nuk lejohet proceduralisht por të jeni të sigurt që nuk ka”. Avokati i Tahirit tha se do të kërkojë në seancën paraprake pushimin e çështjes për klientin e tij. Por në rast se shkon në gjyq, ai tha se nuk do kërkojnë gjykim të shkurtuar. “Jo, absolutisht. Është një temë që do e diskutojmë. Por derisa ne mohojmë çdo gjë, pretendojmë dhe kërkojmë të na jepet një fakt kriminal, ku është implikuar zoti Tahiri, si mund të kërkojmë gjykim të shkurtuar?” Maks Haxhia tha se do të bëjnë kallëzim penal për prokurorët. “Kanë nxjerrë aktet në opinion dhe së dyti i ka nxjerrë të deformuara për të përgatitur paaftësinë e tyre. Disponojmë dhe prova elektronike dhe të tjera se më kë ka komunikuar prokuroria”. Më 28 shkurt, Prokuroria për Krime të rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Një javë më parë, nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tahiri tha se politika, krimi dhe drejtësia janë aq bashkë sa ç’është dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë.

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po dëmton imazhin e Shqipërisë në botë. Duke rikthyer rubrikën “Përgjigja ime”, Rama thotë se Shqipëria nuk është një shtëpi që shfaq në lagje sherret e brendshme. “Dhuna nuk e ndryshon dot rrjedhën e përcaktuar nga populli me votë. Dhuna nuk e ndryshon as shumicën në Kuvend dhe as qeverinë, por e forcon. Dhuna dëmton imazhin e Shqipërisë. Punonjësit bashkiakë të opozitës po e mbyllin pa nder mandatin duke kyçur dyert. Tani me ato rroga paguhen turistët e opozitarizmit të rrugës”.

Edi Paloka

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ftuar A2, ka folur për aksionin e opozitës, si dhe për deklaratat e faktorit ndërkombëtar dhe mundësinë e një marrëveshje. “Nëse bëhet fjalë për marrëveshje të tipit të 17 majit nuk mund të ketë. Kushtet tona janë të qarta. Rama nuk mund të ketë më rol në politikën shqiptare. Siç e tha dhe Basha, marrëveshja me Ramën nuk ishte vetëm në dëm të PD, por edhe në dëm të shqiptarëve dhe tashmë një marrëveshje me Ramën është e përjashtuar”, është shprehur Paloka.

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

%d bloggers like this: