Politike

“Vatra” e Amerikës bojkoton Samitin: S’i bëjmë iso vjedhjes

Pjesëmarrësit ankohen se Ministria e Diasporës nuk iu ka mbuluar asnjë shpenzim për ardhjen dhe qëndrimin në Samit. Kërkohet statusi i mësuesit vullnetar, abetare dhe mjete mësimore. Mungon transparenca për shpenzimet e Diasporës. Pse harxhohen 670 milionë lekë për këtë takim?    

Enida Vërça

Shoqata “Vatra”, organizata më e vjetër atdhetare e shqiptarëve të Amerikës nuk ishte në Samitin e Diasporës. Arsyeja? “Vatra” nuk do të bëhet një patericë mbajtëse për qeverinë. Një tjetër arsye është edhe shpenzimi i shumave të mëdha të parave për këtë event, ndërkohë që një pjesë e madhe e shqiptarëve “vuajnë për bukën e gojës”, shkruan përfaqësuesi i “Vatrws”, Dalip Greca. “Të shkosh në një Samit aq të fryrë nga propaganda qeveritare, aq pompoz, ku janë parashikuar 3 ditë aktivitete dhe 670 Milione leke shpenzime, në një kohë kur vendi është në kaos, në krizë totale dhe i trazuar nga protestat që kërkojnë largimin e “kryeparit” të akuzuar për korrupsion, nuk ka asnjë kuptim tjetër, veçse të tentosh t’i vendosësh një patericë mbajtëse Qeverisë në kohë të vështira dhe t’u bësh karshillëk atyre që protestojnë dhe kërkojnë ikjen e tij”. Kjo është e dyta herë që Vtra e Nolit dhe e Konicës, e Pavarësisë, e Kongresit të Lushnjës, e luftës së Kosovës, refuzon Edi Ramën, në këto samite. Qeveria nuk mbulonte kostot e udhëtimit dhe të qëndrimit. Ky skandal mësohet nga pjesëmarrësit në takimin treditor që nisi dje në Tiranë. Ata denoncojnë shpenzimet e luksit që qeveria ka harxhuar për drita e dekore dhe nga ana tjetër nuk iu paguhet asnjë kosto delegatëve. Disa prej tyre u shprehën për “Shekulli”-n se kostot e këtij organizimi nuk mbulonin shërbimin e ofruar. Luan Hallulli, sipërmarrës, po ashtu themelues dhe kontribuues i ndërtimit të dy shkollave shqipe në Pratola të Italisë, tha për “Shekulli”-n, se deri më tani nuk kanë pasur asnjë përkrahje nga shteti mëmë. “Kam më shumë se 30 vite që jetoj në Itali. Deri më tani, qeveria nuk na ka dhënë asnjë qindarkë, për të ruajtur traditën dhe kulturën. Përpjekjet tona për të ruajtur gjuhën shqipe në botë janë të jashtëzakonshme, por askush nuk e vlerëson këtë gjë. Ne vetëm kemi kontribuar për Shqipërinë, përveç aspektit moral edhe atij financiar. Jemi taksapagues të rregullt. Imagjino, u bë gjithë ky event, të gjitha shpenzimet i kemi hequr me buxhetin tonë. Rezervimet e hoteleve, biletat, pra në total çdo gjë”, tha ai. Më tej, ai tha se mospagesa e shpenzimeve nga qeveria, ka bërë që disa shoqata të mos pranojnë të jenë të pranishme. “Ne sot jemi këtu, jo për të majtët, as për të djathtët, por jemi si kontribuues të rëndësishëm të traditave dhe kulturës shqiptare në botë. Në çdo event që kemi shkuar dhe jemi paraqitur në Evropë dhe më gjerë, shpenzimet i paguajnë ata që bëjnë ftesën. Te ne funksionon ndryshe. Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”, nuk e pranoi ftesën, kur mësoi vlerën e shpenzimeve dhe ofrimin e shërbimit në këtë takim. Është si t’i bësh ‘iso’ hapur vjedhjes ”, përfundoi  ai.

Mësuesit e diasporës

Në këtë takim mësuesit e diasporës referuan problemet më të cilat ata ndeshen çdo ditë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën në botë. Anila Kila, kryetarja e Lidhjes së Mësuesve në Greqi, tha për “Shekulli”-n se në këtë takim u premtua krijimi i regjistrave për mësuesit në treva. “Shpresojmë që gjërat të ndryshojnë. Jemi në pritje të krijimit të regjistrit dhe statusit të mësuesit. Ka kaluar shumë kohë nga Samiti i Parë, ku na u premtuan shumë gjëra, të cilat nuk u mbajtën. Urojmë të mos përsëritet ky rast. Unë edhe më herët e kam trajtuar problemin në gazetën tuaj. Mungesa e abetares mbetet një ndër problemet kryesore. Ju kam thënë edhe më herët, kërkesat e “Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi”, janë të protokolluara në Ministrinë e Arsimit, në një takim që është bërë përpara disa vitesh dhe janë të njëjta. Këto kërkesa i janë drejtuar disa herë Ministrisë së Arsimit. Ne bëjmë betejë të madhe në Greqi për të mbajtur fëmijët dhe mësuar gjuhën e tyre. Një tjetër kërkesë ka qenë edhe njohja e viteve të pensionit, për mësuesit vullnetarë. Për momentin jemi në pritje të realizmit të kërkesave”, tha ajo për “Shekulli”-n. Mirela Nasi, mësuese e gjuhës shqipe në Mancerata të Italisë, për më shumë se 10 vite, tha për “Shekulli”-n se dëshira e fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe është mjaft e madhe. Ajo deklaroi se çdo gjë deri më tani, e kanë përballuar me shpenzimet e tyre dhe me ndihmën e prindërve, të cilët janë të interesuar që mësojnë gjuhën shqipe. “Ne kemi përballuar çdo gjë vetë, edhe pse në fakt është pak e vështirë, por kënaqësia që marrim në fund të ditës, teksa dëgjojmë gjuhën tonë të rrjedhë në breza është më madhe se gjithçka tjetër. Unë personalisht kam vetëm një kërkesë, nëse të gjitha të tjerat nuk realizohen. Të paktën, në festat zyrtare të na vizitojnë përfaqësues të shtetit shqiptar, po ashtu të na mundësojnë veshje tradicionale, që fëmijët tanë t’i prekin dhe të njohin identitetin e tyre. Fondet jepen dhe ne e dimë shumë mirë këtë gjë, duhet të vihen në punë për motivin që jepen”, tha ajo.

“Politika të fillojë punën”

Liza Gashi, përfaqësuese e organizatës “Germin”, në Kosovë, tha për “Shekulli”-n se është e nevojshme që shqiptarët të përfaqësohen dhe bashkohen sa më shumë me diasporën. Ajo kërkoi nga politika shqiptare dhe ajo kosovare, përgjegjshmëri në çdo vendim dhe hap që ndërmerret.“Të rinjtë e këtij vendi, nuk shikojnë shumë shpresë në trojet e tyre. Ne duhet që bashkërisht të rigjallërojmë debatin dhe t’u japim mundësi atyre të angazhohen dhe përfaqësohen. Ne kërkojmë nga pjesa politike, pra vendimmarrja që t’i lënë strategjitë dhe të nisin punën për vendin. Të tregojnë që janë të aftë për karrigen, për postin që mbajnë. Në këtë mënyrë samiti mund të përfaqësohet me dinjitet në të ardhmen”, tha ajo. Më tej shtoi, se është e rëndësishme të shikohet se çfarë do të ndodhë pas këtij samiti, duke shtuar që është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e femrave në forume të tilla.

Diskutimet në Samit

Agjenda ishte e ndarë në katër sesione. Në sesionin e parë, u mbajtën diskutime mbi “Vota si e drejtë-politika e re shtetërore për diasporën. Në sesionin e dytë, fokusi i bisedimeve u ndal në “Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm-Vendlindja dhe Diaspora”. Në sesionin e tretë, diskutimi u përqendrua te “Identiteti shqiptar, e ardhmja fillon nga diaspora”. Bisedimet u ndalën te arsimi dhe përmirësimi i cilësisë së tij kudo ku ka shqiptarë. Iris Gjinofsi, mësuese prej më shumë se 15 vitesh në Zvicër, tha për “Shekulli”-n se është shumë e nevojshme mbështetja e shtetit shqiptar për fëmijët e emigrantëve në botë. “Janë shumë fëmijë në perëndim, që kanë gjakun shqiptar. Ata kanë nevojë për ruajtjen e identitetit të tyre dhe kjo bëhet vetëm nëse lidhen marrëveshje mes shteteve. Përkatësia është forma më e lartë e të përfaqësuarit”, tha ajo. Më tej, i bëri thirrje mësuesve shqiptar në botë, të përdorin të gjithë instrumentet për ruajtjen e gjuhës. Apeli shkoi edhe për prindërit, të cilët duhet të flasin sa më shumë në gjuhën e tyre, kur janë me fëmijët. Sesioni i fundit i këtij takimi, ishte “Ftesë nga shtëpia juaj”, ku biseda u ndal mbi turizmin dhe agroturizmin.

Turqia paguan mësuesit e gjuhës shqipe

Teuta Tabaku është mësuese e gjuhës shqipe në qytetin Bursa të Turqisë. Ajo tregon për “Shekulli”-n se shteti turk e paguan për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe. Në fjalën e saj, mësuesja thotë, se ka kërkuar shpesh që Ministria e Arsimit t’i mundësojë libra për kultivimin e gjuhës, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. “Kam 20 vite që investoj për hapjen e gjuhës shqipe. Kam punuar nga viti 2003 deri në vitin 2015 në konsullatën e Nderit të Shqipërisë, ku kam dhënë mësim pa pagesë. Shteti turk, nxori ligjin për gjuhën shqipe, ku u hap një projekt i dytë dhe unë kam bashkëpunuar me bashkinë e Bursës në Turqi. Ky shtet mua më paguan se mësoj gjuhën shqipe, gjë që shteti im nuk e bën. Në vitin 2017-2018, hapëm për herë të parë kurset e gjuhës shqipe që njihen nga Ministria e Arsimit të Turqisë. Aty më është dhënë mundësia të bëj regjistrimet e nxënësve, po ashtu të bëj edhe shpërndarjen e certifikatave që njihen në të gjithë botën”, tha ajo. Tabaku tregon se në këto kurse marrin pjesë fëmijë të moshave 13-vjeçare e sipër, duke treguar më tej se aktualisht punon me kurrikulat shqiptare. “Gjuha shqipe, nuk është vetëm abetarja, por edhe lëndët e tjera. Unë kam kërkuar shpesh sigurimin e librave nga shteti shqiptar, por nuk m’i ka siguruar. Jam detyruar t’i blej vetë dhe t’i shpërndaj për nxënësit e mi. Për më shumë se 20 vite investoj në këtë punë dhe kam arritur që kurset e para të gjuhës shqipe në qytetin ku unë jetoj, pra në Bursa, të jenë në shtet. Është e rëndësishme që ne të mos jemi indiferentë për vendin tonë, ne duhet të investojmë”, tha ajo. Nëse shteti shqiptar i është falënderues për gjithë këtë që ka bërë, mësuesja thotë: “Për aq kohë sa nuk më janë përgjigjur për sigurimin e librave, nuk e çoj në mend që më falënderon. Unë nuk mund të merrem me protokollet gjatë gjithë kohës, për krijimin e bashkëpunimit, kur ai mungon nga njëra palë. Jam e përqendruar te gjetja e nxënësve shqiptarë në Turqi, për t’u shpjeguar atyre se përse duhet ruajtur tradita dhe gjuha”, përfundoi ajo.

Fatura e kripur, 500 mijë euro, asnjë shpjegim nga qeveria

Fatura e kripur e Samitit të Diasporës, në një periudhë kur parlamenti është në krizë dhe qeveria në telashe e ka zbehur atmosferën e festës, ndërsa ka ngjallur pakënaqësi masive në opinionin publik. Së pari, zgjedhja e një qendre tregtare për të organizuar këtë samit, natyrshëm ka rritur faturën e buxhetit të shtetit në masën 670 milionë lekë. Një event i tillë do të kushtonte disa herë më pak, por qeveria Rama, e cila njihet për shpenzime luksi ka injoruar kursimin për hir të dukjes para syve të miqve që kanë ardhur nga jashtë kufijve. Axhenda e këtij samiti është që mbyllet sot është bojkotuar nga emra të njohur, ndërsa përpos drekave dhe darkave për 800 të ftuarit janë organizuar edhe udhëtime. Iluzioni i takimeve për bashkimin e shqiptarëve, është kritikuar është parë me skepticizëm nga përfaqësues të fushave të ndryshme, të cilët duke parë shpenzimet 500 mijë euro (më shumë se dyfishi i samitit të parë) kanë kritikuar qeverinë Rama, aq më tepër që vizitorët e pranishëm kanë ardhur me shpenzimet e tyre. Kostot janë vetëm për eventin, transportin, kancelarinë, dekorin etj., shuma këto, që në Shqipërinë e varfër konsiderohen tepër të majme. Përfaqësuesit e shoqatës Germin, Liza Gashi nga Prishtina dhe Mark Kosmo nga Bostoni, i kanë nisur prej kohësh një letër ministrit të diasporës, Pandeli Majko, ku ndër të tjera i luten që t’i ulë shpenzimet e samitit dhe, ç’është më e rëndësishmja, që shpenzimet në lidhje me politikat e Diasporës të bëhen transparente. Por, Mark Kosmo ka deklaruar dy ditë më parë se deri tani nuk ka marrë ende përgjigje. Fakt është se edhe Ministria e Diasporës nuk ka dhënë asnjë shpjegim apo arsyetim për këto shpenzime marramendëse, të cilat në një destinacion tjetër mund të zgjidhnin probleme madhore që ka komuniteti i shqiptarëve në Diasporë. Shumë pará, pak punë. 1 800 000 lekë kanë shkuar për qendrën tregtare ku është zhvilluar samiti. Kjo është fatura për qiranë ditore që i ka shkuar privatit për të organizuar takimin, ndërsa skenografia ka kushtuar afro dyfish më shumë. Ndërkohë, brandimi te bulevardi Zogu i Parë ka hequr nga xhepat e taksapaguesve 2160000 lekë, një shpenzim fasadë ky për Shqipërinë e varfër, banorët e së cilës protestojnë kundër varfërisë. Shuma e mbledhur, përfshi edhe shpenzimet e tjera, si pritja, regjia, kokteilet, mbrëmjet galá apo edhe udhëtimet për 800 pjesëmarrësit mbërrin në 67 milionë lekë dhe ajo çka pason mbylljen e samitit janë veç disa deklarata politike e patriotike njëherazi që do të shuhen brenda pak ditëve. Nga ana tjetër, ky samit reflekton përçarje në vend të bashkimit duke u përngjarë takimve elektorale. Aty u ftua të mbante fjalim presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por jo ai i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por jo ai Kosovës, Ramush Haradinaj. I ftuar ka qenë edhe Lulzim Basha, kryetar i opozitës, i cili para pak fillimit bëri të ditur nëpërmjet një mesazhi se nuk do të shkonte në samit.

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.