Aktualitet

Lidhjet mafioze të Fatmir Xhafajt me biznesin dhe pasurimi i vëllait të panjohur

dfdfdffff-1024x625

Emisioni “Top Story” në TCH u ndal mbrëmjen e së mërkurës në një profil të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Përveç historisë të tij të ngjitjes në politikë, përplasjet me Metën, Nanon dhe Ramën, akuzave për vëllain Agron Xhafaj ky emision pati edhe një pjesë investigative të lidhjeve të panjohura deri tani të Xhafajt me botën e biznesit. Një prej këtyre lidhjeve është edhe ajo me biznesmenin Besnik Sulaj i njohur si “Beso i Tajvanit” me ti cilin thuhet se lidhjet janë të hershme.

“Prej vitesh kanë qarkulluar zërat se Fatmir Xhafaj dhe Besnik Sulaj kanë qenë pronarë të kompleksit të pishinave pranë Liqenit Artificial, “Aquadrom”. Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Xhafaj nuk rezulton të ketë qenë aksioner, por fijet të çojnë tek ai. Një nga aksionerët e “Aquadrom”, Arjan Pelushi, ka në pronësi një firmë ndërtimi të quajtur Leaser Construksion. Kjo firmë ka ndërtuar pallatin e kunatit të Xhafës në Pogradec.

Por miqësia Xhafaj-Sulaj do të forcohej edhe më tepër pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, në vitin 2013. “Beso i Tajvanit” do të përfitonte ARMO-n, sa me ndihmën e bankës së nivelit të dytë, por edhe shkeljet e zyrës përmbarimore të Alban Qazimit, vëllai nga nëna i Fatmir Xhafajt” – thuhet në dokumentarin e “Top Story”.

“Emri i Besnik Sulajt, del sërish në skenë si personi që siguron lejen për ndërtimin e kompleksit të pallateve pranë Policisë Bashkiake në Tiranë, në truallin e një lulishteje. Kjo është leja e ndërtimit e dhënë nga bashkia e Tiranës në 21 Shkurt 2017, me hapësirë 3197 m2, për kompaninë “Arlis-Ndërtim” SHPK, me pronar të vetëm Armand Lilon. Ky i fundit është djali i tezes së bashkëshortes së Fatmir Xhafajt, Mimozës.

Vlen të theksohet fakti se leja e ndërtimit, është firmosur edhe nga dhëndëri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili mban postin e drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës. Duket se skema tashmë është e zbardhur dhe Fatmir Xhafaj ishte kapur fund e krye nga konflikti i interesit me familjarët e tij. Biznesi rrotullohej tek dy emra, Fatmir Xhafaj dhe Besnik Sulaj” – raporton dokumentari

Alban Qazimi, vellai i Xhafajt

Si u bë biznesmen vallai tjetër i Fatmir Xhafajt

Top Story publikoi edhe foton e Alban Qazimit, vëllai nga nëna i Fatmir Xhafajt, i cili nuk është lakuar kurrë më parë në media. Ai është aksioner në kompaninë private të Përmbarimit T.M.A, së bashku me Tedi Malavecin. Ky i fundit është kryetar i Dhomës së Përmbaruesve ndërsa në vitin 2005 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit Shtetëror, kur Ministria e Drejtësisë drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Alban Qazimi ka marrë certifikatën e përmbaruesit gjyqësor në vitin 2015 dhe provimi në Ministrinë e Drejtësisë administrohej pikërisht nga ortaku i tij Malaveci.

Kompania e tyre T.M.A është krijuar në 24 Janar të 2013-ës vit në të cilin ka kryer gjithsej 10 transaksione nga institucionet publike me vlerë të përgjithshme 2.5 lekë të vjetra. Përfitimet nga kjo kompani nisin kryesisht pas muajit Shtator kur ndodh edhe rotacioni politik.

Brenda 1 viti, kompania e vëllait të Xhafajt, 10 fishon të ardhurat nga fondet publike, në 24 milione lekë. Dhe brenda 3 viteve, 2015-2018, i 70-fishon sërish përfitimet, duke kapur rreth 1.7 miliardë lekë të vjetra.

Pra, nga hiçi në 2013, vëllai i Xhafajt bëhet miliarder. Këtu flasim vetëm për fondet publike, paratë e të cilat paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Por kjo kompani e vëllait të Xhafajt, ka sfiduar shpesh herë edhe institucionet shtetërorë.

Rasti është për një procedurë hetimore të ndërmarrë nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale ndaj kompanisë T.M.A. Siç citohet edhe në raportin e mbajtur, inspektorët u paraqitën plot katër herë në zyrat e kompanisë, por hasën në kundërshtitë e përfaqësuesve të kompanisë për kryerjen e hetimit.

Të gjendur në pamundësi për të kryer hetimin, caktohet një seancë dëgjimore në ambjentet e Komisionerit, ku përfaqësuesit e T.M.A. Tedi Malaveci dhe Alban Qazimi nuk paraqiten. Në këto kushte, ndaj kompanisë vendoset një gjobë prej 500 mijë lekësh për shmangien e kontrollit, me aktin numër 12, të datës 12 Mars 2018.

Por, çuditërisht, pas një muaji është ky institucion që anulon gjobën e vendosur ndaj kompanisë së vëllait të ministrit Xhafaj. Përmes aktit numër 12 fraksion 1, është Komisioneri Besnik Dervishi që rrëzon një akt, që e kishte firmosur po vetë ai një muaj më herët.

Skandali më i madh me kompaninë e vëllait të Xhafajt, T.M.A është ajo për sekuestrimin e aseteve të ARMO-s, që vlen miliona euro.

Në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Mallakastër ka pasur 54 prona të regjistruara në emër të ARMO Sha. Për këto prona ka pasur 7 procedura përmbarimore. Në kodin e procedurës civile përcaktohet radha e kreditorëve preferencialë që janë: në fillim shlyerja e pagave të punonjësve, e më pas, autoritetet fiskale, kompanitë publike, bankat e në fund palët e treta të lidhura me kompaninë.

Por çuditërisht prioritet ka marrë një urdhër ekzekutimi të iniciuar nga shoqëria përmbarimore T.M.A për kreditorin për një bankë të nivelit të dytë, që ishte e fundit në listë.

Blerja nga kjo bankë e nivelit të dytë, të aseteve që ajo kishte nxjerrë në ankand për të ekzekutuar kolateralin ndaj ARMO-s ka ngjallur dyshime në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka urdhëruar një hetim administrativ për procedurat e tjetërsimit të këtyre pronave.

Në fund të hetimit anëtari i grupit të inspektimit Arlind Arapi është larguar nga detyra nga ana e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e konsideruar edhe kjo si një prej njerëzve të afërt të Fatmir Xhafajt në Partinë Socialiste.

E gjithë procedura e jashtëligjshme e ankandit e zhvilluar nga kompania e përmbarimit T.M.A., ekspozon Shqipërinë ndaj një rreziku të mundshëm për padi në arbitrazh ndërkombëtar.

Ajo që e bën më të dyshimtë gjithë këtë abuzim lidhet me kompaninë e cila merr në shfrytëzim ARMO-n pas tjetërsimit të pronave. Bëhet fjalë për IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY ose shkurt e njohur si IRTC. Kjo kompani, është krijuar në Qershor të 2016-ës, në periudhën kur përmbaruesi T.M.A. kishte nisur lëvizjet për tjetërsimin e pronave të ARMO-s, thuhet në dokumentarin “Top Story” të transmetuar në TCH.

Categories: Aktualitet

Tagged as:

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.