Opinion

Frika që lidh Fatmir Xhafajn me policin e Laçit

Nga Enton Abilekaj

Shefi i komisariatit të Laçit, është shndërruar papritur në simbolin e zbatuesit shqiptar të ligiit. I harruar në hallin e tij, i injoruar në lutjen për tu rikthyer në punë, nuk është fajtor, është viktimë. Historia fillloi kur në lokalin e njërit prej atyre, që për eufemizëm quhen biznesmenë, shpërtheu tritoli. Gazetari Julian Shota, me detyrimin për ta raportuar shkoi në vendngjarje. Ndërsa interesohej për autorët e krimit, ai që duhej të ishte viktima, i drejtoi pistoletën në kokë.

Pasi shpëtoi mrekullisht, njoftoi shefin e komisariatit, i cili në aq pak kohë sa lejon një telefonatë e tillë, mundi të gjente vetëm një justifikim; jam me leje. Ministri e pezulloi. Tashmë ish-shef, kërkon mëshirë. Ndoshta pas disa ditësh, kur ngjarja të harrohet, kur shoqatat e gazetarëve dhe mediat të ndërrojnë shënjestër dhe kur opozita të fokusohet në bëmën e radhës, ai mund të rikthehet në detyrë. Rroga do t’i kthehet bashkë me “lehtësirat” e tjera që i jep detyra. Ai mund ta rifitojë punën, por jo pafajësinë. Në fakt ai është i pafajshëm. Jo vetëm sepse ai që drejtoi pistoletën në kokën e gazetarit është i lirë, jo vetëm se autorët janë të lirë. Ai thjesht nuk gjeti përgiigjen e duhur.

Mund të përgjigjej si Drejtori i Policisë së Vlorës, kur dy familje denoncuan fëmijët e zhdukur në mes të ditës, në mes të qytetit. Ai i ftoi në zyrë, i qerasi me kafe, u regjistroi denoncimin dhe i përcolli me mirësjellje. Pas kësaj, nuk bëri as njoftimin zyrtar në komunikatën e policisë. E shkeli ligjin kur askush nuk e kishte mendjen, e fshehu krimin njësoj si bashkëpunëtorët e rrëmbyesve dhe askush nuk e pezulloi, përkundrazi.

Ndërsa vuan përgjigjen e gabuar, shefi i komisariatit të Laçit mund të kishte mësuar edhe nga drejtori i policisë së Shkodrës. Në 2 muaj 6 të vrarë dhe 2 të zhdukur. Autorët dihen, por ai jo vetëm nuk i ndalon, jo vetëm nuk i heton, por as nuk raporton ngjarjet në komunikatën zyrtare. Ai e fsheh krimin njësoj si kolegu i Vlorës dhe me siguri askush nuk do ta pezullojë për këtë.

Ndërsa pret me ankth fatin e tij, shefi i komisariatit të Laçit mund të kishte mësuar sadopak nga Drejtori i policisë së Elbasanit, që e nderon kryetarin e Bashkisë kur i kalon me eskortën plot me roje private dhe nuk e shqetëson ta pyesë nga kush po ruhet, kush e kërcënon, ndërsa në një lagje tjetër festohet autonomia nga shteti. Ai e di që, jo vetëm nuk duhet ta luftojë, por as ta kallzojë krimin, që të rrijë në detyrë.

Nëse Ministri i Brendshëm, drejton me “forcën e shembullit”, shefi i komisariatit të Laçit duhet ta vuajë mungesën e vëmendjes. Të gjithë e panë se si në kulmin e denoncimeve për shndërrimin e Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit në domene mafioze, Fatmir Xhafaj, shpërndau si lajm një moment të rëndomtë pune, ku u kërkonte drejtuesve të policisë të kryenin detyrën. Pastaj në Parlament u tha se opozita po dëmton duke ndërprerë kasaphanën, që kriminelët kanë filluar ndaj njëri-tjetrit, ndërsa qeveria po punon duke mos ndërhyrë.

Ai i policit të Laçit, mund të ishte i gabuar, i Xhafës mund të jetë i duhuri, por të dy mbeten justifikime. Nga polici i Laçit deri tek Ministri i Brendshëm, është një hierarki e frikës.  Nuk është hera e parë që Ministria e Brendshme përballet me krimin, por është hera e parë që ka frikë. Nga karburanti i Laçit deri në qendër të Tiranës, të gjithë e dinë se krimi përballë ka mbështetje politike, mund të shkarkojë një polic, ashtu si mund të shkarkojë një ministër, me të njëjtën lehtësi që merr tenderat, licencat, resortet, pronat. Mund të kërcënojë një polic dhe një ministër me të njëjtën lehtësi, që kërcënon gazetarët dhe mbyll në shtëpi qytetarët. Është një mbështeje më e fortë se e Ministrit të Brendshëm, që ata e kanë pranuar kokëulur.

Shefi i komisariatit të Laçit, nuk është pa punë sot se nuk e luftoi krimin. Ai është pa punë se nuk diti t’i përgjigjej një telefonate. Kriminelët prapë do ishin të lirë, gazetarët prapë do ishin të kërcënuar, por ai do të ishte në punë. Përgjigja e tij ishte e pamenduar, prandaj edhe e sinqertë. Sapo dëgjoi emrin e kërcënuesit, zgjodhi të ishte me leje. Do të përfundonte më keq po të mbronte gazetarët. Nëse pezullimi do t ‘i vinte nga malavita, do të ishte i pakthyeshëm.

Categories: Opinion

Tagged as:

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.