Aktualitet

Somayeh Mohammadi, iraniania që akuzon të atin si agjent: Po përballem me torturë psikologjike. Endrra ime është liria!

Prej disa kohësh, një anëtare e grupit të muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri, Somayeh Mohammadi ka tërhequr vëmendjen në lidhje me akuzat që ka lëshuar ndaj babait të saj se ai është agjent i të ashtuquajtur regjim iranian dhe se ai ka ardhur që ta largojë atë nga Shqipëria pa vullnetin e saj edhe pse është në moshë të rritur.

Në një dalje për mediat, 38-vjeçarja deklaron se ajo ka ardhur në Shqipëri me mbështetjen ndërkombëtare dhe me aksion nga Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe qeveria shqiptare, por babai i saj nuk e lë të qetë.

Deklaratë nga Somayeh Mohammadi:

Unë jam Somayeh Mohammadi, anëtare e MEK. Unë me miqtë e mi erdhëm në Shqipëri me mbështetjen ndërkombëtare dhe me aksion nga Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe qeveria shqiptare. Që kur kemi ardhur në Shqipëri, jo vetëm që nuk kemi patur asnjë problem me popullin shqiptar, por ky popull është treguar gjithashtu shumë përkrahës e mikpritës ndaj nesh.

Por një agjent famëkeq i Ministrisë së Inteligjencës së regjimit iranian, me emrin Mostafa Mohammadi, ka ardhur në Shqipëri që para dy muajsh, afërsisht. Fatkeqësisht, ai është babai im. Ai pretendon se jam rrëmbyer nga MEK 21 vite më parë dhe tani jam e burgosur në Manzë, dhe se qeveria shqiptare po bashkëpunon me MEK për sa i përket burgosjes sime. Gjatë kësaj periudhe, unë u kam dërguar letra Ministrit të Brendshëm shqiptar dhe mediave në lidhje me akuzat e tij të rreme. Kam patur gjithashtu disa intervista ku kam shpjeguar qëllimin e regjimit iranian për dërgimin e këtij agjenti të njohur në Shqipëri. Edhe sot jam e lumtur që ju, gazetar i medias shqiptare, jeni këtu dhe mund t’jua shpjegoj këto gjëra në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në vitin 2004, kur ishim në Irak, kuptova se im atë po punonte për Ministrinë e Inteligjencës së regjimit iranian kundër MEK. Kështu që i ndërpreva të gjitha komunikimet me të dhe thashë se nuk do të isha e gatshme të takohesha më me të.

Në Teheran, ai mori viza për të shkuar në Irak. Për dy vjet, ditë e natë, ai rrinte jashtë kampit Ashraf për të bërë torturë psikologjike kundër anëtarëve të MEK përmes 320 altoparlantëve. Na kërcënonte me vrasje e djegie.

Në të njëjtën kohë, gjykata irakene e refuzoi akuzimin e tij se MEK më kishte rrëmbyer. Unë jam takuar personalisht me autoritetet amerikane, me Kryqin e Kuq dhe me UNHCR, si dhe me autoritetet irakene shumë herë. Gjithashtu, kam bërë kallëzim personalisht në policinë e Manzës dhe Durrësit, dhe kam kërkuar që Mostafa Mohammadi të përjashtohet nga Shqipëria. Prokurori i Durrësit ka konfirmuar që unë qëndroj me MEK me vullnetin tim. Siç e shihni, unë jam në këtë vend të lirë, në Shqipëri, pa asnjë kufizim. Mund të shkoj në Tiranë e Durrës për të blerë, për t’u vizituar tek mjeku, apo për gjëra të tjera, sa herë të dua.

Por, regjimi iranian dhe agjentët e tij po përpiqen ta denigrojnë MEK-un dhe po i mashtrojnë disa media kundër nesh. Në këtë mënyrë, ata duan të lehtësojnë zhvillimin e operacioneve të tyre terroriste.

Fushata denigruese e regjimit iranian kundër MEK në Shqipëri dhe mobilizimi i mediave të regjimit për këtë qëllim ka arritur edhe tek mediat perëndimore. Për shembull, sonte, një program që është përgatitur me kërkesën e regjimit iranian do të transmetohet në Channel 4 të televizionit britanik. Në këtë program, Mostafa Mohammadi do të përsërisë pretendimet e rreme të Ministrisë së Inteligjencës kundër meje dhe MEK-ut në Shqipëri, dhe do të thotë se unë e miqtë e mi jemi të burgosur në Manzë, dhe askush nuk mund të hyjë nga jashtë, e askush nuk mund të largohet. Ndërkohë që qindra shqiptarë vijnë në Manzë për punë të ndryshme çdo ditë. Miq, reporterë, parlamentarë e personalitete të ndryshme nga Shqipëria dhe nga vende të tjera vijnë vazhdimisht në vendbanimin tonë. Unë dhe miqtë e mi jemi takuar e kemi folur me ta.

Por, le të flasim se cila është çështja kryesore, dhe se për çfarë qëllimi bëhet kjo fushatë denigruese kundër MEK. Që nga fillimi i këtij viti, regjimi iranian është përballur me një kryengritje mbarëkombëtare që kërkon përmbysjen e tij. Kjo kryengritje është drejtuar nga forcat e MEK brenda Iranit. Për këtë arsye, regjimi iranian kërkon të godasë MEK-un dhe të realizojë operacione terroriste kundër kësaj organizate në mënyrë që ta ndalojë kryengritjen dhe ta vonojë përmbysjen e tij. Autoritetet shqiptare shpallën më 22 mars se kishin arrestuar dy terroristë iranianë. Regjimi iranian kishte ndërmend të sulmonte mbledhjen dhe ceremoninë tonë të Vitit të Ri. Por plani i tij u parandalua me arrestimin e këtyre terroristëve. Po të kishte patur sukses regjimi, qindra anëtarë të MEK si dhe shqiptarë do të ishin vrarë. Tre muaj më vonë, më 30 qershor, regjimi iranian kishte një plan tjetër për të bombarduar një tjetër tubim të MEK në Francë. Por njëri nga diplomatët e tij, i cili kishte siguruar bombën për operacionin, si dhe agjentë të tjerë u arrestuan pak kohë para realizimit të operacionit. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar gjithashtu se regjimi iranian po përdor ambasadat e tij për operacione terroriste. Kështu që ne duhet të jemi shumë vigjilentë për sa i përket ambasadës së regjimit në Shqipëri.

Britaniku Channel 4, duke gënjyer për mua, vetëm sa do ta shtojë torturën psikologjike që ka nisur regjimi iranian. Kjo sepse po më keqpërdor mua për të zhvilluar një fushatë denigruese kundër MEK në Shqipëri, fushatë që është një prelud i operacionit të ardhshëm terrorist të regjimit. Më heret, më 10 gusht, një grup nga Channel 4 filmuan dhe bënë foto në vendbanimin tonë në mënyrë të jashtëligjshme dhe të fshehtë, dhe po atë natë, ato foto u postuan në uebsitet e Ministrisë iraniane të Inteligjencës, si për shembull në Facebook-un e një agjenti famëkeq të inteligjencës iraniane me emrin Massoud Khodabandeh. U bë e qartë se ky program po përgatitej në bashkëpunim me agjentët e njohur të Ministrisë së Inteligjencës së Regjimit Iranian.

Kështu pra, thënë shkurt, prania e Mostafa Mohammadi-t në Shqipëri dhe pretendimet e tij kundër meje dhe MEK nuk janë gjë tjetër veçse një fushatë denigruese nga Ministria e Inteligjencës së regjimit iranian dhe Ambasada Iraniane në Tiranë kundër MEK-ut për të zhvilluar një operacion terrorist në Shqipëri. Për këtë arsye, në letrën time drejtuar Ministrit të Brendshëm, kam kërkuar përjashtimin e Mostafa Mohammadi-t nga Shqipëria. Kjo fushatë denigruese është intensifikuar tashmë duke përdorur disa media perëndimore, si televizioni britanik Channel 4, dhe sigurisht, shënjestra është Shqipëria dhe demonizimi i  MEK në Shqipëri. Për këtë arsye, unë deklaroj se çdo lloj përdorimi abuziv ndaj meje nga Channel 4 dhe përsëritja e gënjeshtrave të vazhdueshme të Mostafa Mohammadi-t në këtë kanal nuk është gjë tjetër veçse një skenar i para-planifikuar i Ministrisë së Inteligjencës së regjimit iranian, i cili është përsëritur me qindra herë nga uebsitet dhe mediat e Ministrisë iraniane të Inteligjencës. Dhe referimi i këtyre gënjeshtrave nga televizioni britanik Channel 4, është gjithashtu një akt i ndyrë dhe një marrëveshje me këtë regjim kundër opozitës së tij kryesore.

Përmbajtja e programit të Channel 4 është shpifje kundër MEK, dhe me aq sa di unë, ky është një shembull torture psikologjike dhe duhet të ndiqet penalisht.

Faleminderit.

 

Deklaratë e Farid Toutonchi

Siç e dini, këto muajt e fundit, regjimi iranian është përpjekur fuqimisht të merret me veprimtari terroriste dhe spiunazhi kundër MEK në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.  Një vështrim i shpejtë i listës së këtyre veprimtarive të publikuar në media tregon se deri në çfarë pike kanë arritur këto veprimtari.

  1. Marsin e shkuar në Shqipëri,  u zbulua dhe u neutralizua një komplot i regjimit iranian për të bombarduar ceremoninë e festimit të Vitit të Ri nga MEK.
  2. Më 30 qershor në Paris, u parandalua në fazat e fundit të realizimit të tij një sulm me bombë mbi një tubim të madh të opozitës iraniane.  Një diplomat iranian, Assadollah Assadi, i cili i kishte dorëzuar një bombë dy terroristëve në Gjermani, u arrestua në lidhje me këtë rast.  Gjithashtu u arrestuan terroristë të tjerë në Francë të lidhur me të njëjtin sulm.
  3. Më 20 gusht, Departamenti amerikan i Drejtësisë nxori lajmin e arrestimit të dy bashkëpunuesve të Ministrisë iraniane të Inteligjencës, të cilët po spiunonin dhe përgatisnin sulme terroriste mbi anëtarët e opozitës iraniane në SHBA.
  4. Më 21 gusht, Facebook mbylli 652 llogari që ishin të përfshira në fushatat e përhapjes së lajmeve keqinformuese me mbështetjen e regjimit iranian.  Më pas, Google dhe YouTube mbyllën gjithashtu dhjetëra llogari që promovonin lajmet e rreme të regjimit iranian.  Rezistenca iraniane ishte një nga shënjestrat kryesore të këtyre fushatave demonizuese të internetit, të drejtuara nga regjimi i mullahëve.
  5. Në një deklaratë të datës 20 gusht, ministria e jashtme franceze i paralajmëroi diplomatët e saj të anullonin udhëtimet e tyre për në Iran duke theksuar sulmin e parandaluar kundër “mbledhjes së përvitshme të MEK.”

Në këtë aspekt, përveç dërgimit të keqbërësve në Shqipëri, regjimi iranian ka marrë në punë një numër gazetarësh ndërkombëtarë për ta ndihmuar në këtë fushatë demonizimi.

Programi i prodhuar nga britaniku Channel 4 është pjesë e kësaj fushate.

Televizioni Channel 4 po e ndihmon regjimin iranian duke demonizuar MEK-un në Shqipëri përmes transmetimit të intervistave me bashkëpunues të njohur të regjimit dhe përsëritjes së akuzimeve të rreme të fabrikuara nga Ministria iraniane e Inteligjencës.

Është e rëndësishte të kuptohet se fushata demonizuese e regjimit iranian nuk është nje veprimtari promocionale apo politike, por është një prelud i sulmeve terroriste.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi operativë të regjimit janë arrestuar gjatë muajve të fundit. Dhe, kjo praktikë është një rutinë e njohur e regjimit iranian.  Pikërisht në këtë mënyrë janë bërë gjërat dhe pikërisht kështu kanë vepruar regjimi dhe elementët e tij në Irak kundër MEK.

Duke përdorur ndihmën e bashkëpunuesve të tij nën maskën e familjarëve në Irak, regjimi filloi duke përhapur lajme të rreme për MEK dhe më pas, kur gjithçka u bë gati, filluan sulmet.

Fushata demonizuese në Shqipëri po ndjek gjithashtu të njëjtin objektiv dhe ne po japim paraljmërime që më parë për këtë rrezik.

Ju falenderojmë për vëmendjen tuaj në këtë program dhe jemi të përgatitur t’i përgjigjemi çdo pyetjeje që mund të keni.

Detajet e sjelljes dhe komunikimeve të dyshimta të ekipit të Channel 4 janë përfshirë në deklaratën e Komitetit të Sigurisë dhe Anti-terrorizmit të NCRI, të cilën mund ta shihni këtu.

 

 

 

 

 

Categories: Aktualitet

Tagged as:

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.