Sociale

Kryebashkiakët pranojnë rritjen e numrit të turistëve, ja “ankesat” e tyre

Këtë sezon veror bie në sy rritja e numrit të pushuesve që kanë zgjedhur të pushojnë në zonat bregdetare, sidomos në Sarandë, ku pushuesit janë të huaj. Kryebashkiakët e qyteteve Berat, Sarandë dhe Shkodër rrëfejnë për numrin e pushuesve këtë vit, kushtet e përmirësuara si dhe problematikat me të cilat hasen çdo ditë të gjithë ata që kanë zgjedhur këto zona për të kaluar ditët e nxehta të kësaj vere.

Në Berat, përveç peizazhit të jashtëzakonshëm, turistët zgjedhin të eksplorojnë arkitekturën mesjetare. Mesa duket, këtë vit ka një rritje të ndjeshme të iniciativës private turistike, duke synuar kthimin e shtëpive tradicionale në shtëpi pritëse dhe restorante. Në Sarandë ajo që bie në sy është ardhja e pushuesve nga vendet skandinave, që tentojnë të shkojnë drejt plazheve të virgjra. Meqë edhe numri i turistëve është rritur, mbetet problematikë numri i ndotësve, por që po punohet fort në këtë drejtim. Kryebashkiakja e Shkodrës pohon se këtë vit numri i pushuesve është ulur në krahasim me vitet e kaluara. Risia e këtij sezoni është hartimi i një plani konkret masash për monitorimin dhe kontrollin e zhurmave në ambientet e plazhit të Velipojës, sipas të cilit janë përcaktuar qartë rolet dhe përgjegjësitë për zbatimin e tij.

Petrit Sinanaj, Bashkia Berat
“Çdo vizitor i apasionuar pas kulturës dhe historisë do të përjetojë emocione të papërsëritshme në skenën e një muzeumi të hapur në natyrë siç është Berati, ku muzika dhe arti ndërthuren natyrshëm me peizazhin dhe arkitekturën mahnitëse të qytetit 2500-vjeçar, pasuri e listës së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Në Berat do të kenë mundësinë të eksploroni arkitekturën mesjetare dhe peizazhin e veçantë, kalanë e qytetit dhe lagjet muzeale. Bashkia e ka përqendruar vëmendjen në rritjen e kohës së qëndrimit të vizitorëve, duke përmirësuar infrastrukturën dhe aksesin në zonat përreth Beratit, si destinacione të ekoturizmit: Parku Kombëtar i Tomorrit, zona e Shpiragut, fshatrat Roshnik, Sinje e Drobonik, ku mund të zhvillohen aktivitete si ngjitje, rafting, kampingje, ecje me biçikleta dhe peshkim. Po ashtu, një vëmendje e veçantë i është dhënë rritjes së shërbimeve turistike të bizneseve. Në fushën e shërbimeve private për vitin 2018 janë 26 hotele, 28 bujtina dhe 52 restorante të orientuara drejt turizmit. Ka një rritje të ndjeshme të iniciativës private turistike, duke synuar kthimin e shtëpive tradicionale në shtëpi pritëse, restorante, etj. Janë 4 operatorë turistikë lokalë dhe 34 agjenci kombëtare dhe ndërkombëtare, që kanë aktivitetin e tyre në Berat. Janë 14 guida (individë) të licencuar turistike”.

Floriana Koka, Bashkia Sarandë
“Numri i turistëve këtë vit është shtuar kryesisht me turistë të huaj, rreth 42%. Janë polakë, nga vendet skandinave dhe turistë italianë, të cilët janë përfshirë në jetën e rinisë së qytetit, diskot, gudiat të shoqëruara nga miqtë të rinj të gjetur në Sarandë. Përgjithësisht ka një tendencë për të shkuar drejt plazheve të virgjëra, në të cilat shkohet jo me rrugë makine, por me rrugë detare nëpërmjet lundrueseve. Numri i turistëve që vijnë nga vendet skandinave për të shtatin vit radhazi ka arritur dhjetëmijë. Problemet janë disa. Nëse do të pranojmë që numri i pushuesve është trefishuar. Duhet të themi që shërbimet ndaj tyre duhet të ishin trefishuar duke u nisur që nga standardi. Duhet të pranojmë që bashkë me shtimin e këtyre njerëzve, janë shtuar edhe ndotësit. Një pikë e fortë e këtij viti është pastërtia në det dhe siguria në plazhe. Ajo që bie në sy në Sarandë është fakti që janë pothuaj të përjashtuar mjetet motorike”.

Voltana Ademi, Bashkia Shkodër
“Këtë vit numri i turistëve ka pësuar një ulje të ndjeshme. Për sa i përket çështjes së sigurisë në plazh, Policia Bashkiake kryen shërbim të rregullt, me turne në të gjithë gjatësinë e plazhit, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Policinë e Shtetit të stacionuar në Velipojë. Gjithashtu, bizneseve u është lidhur kontratë me Bashkinë Shkodër vetëm pasi kanë plotësuar paraprakisht kushtet për vendosjen e bovave kufizuese në det, flamurëve tregues për gjendjen e detit etj.. Deri më tani janë të instaluara tetë kulla vrojtimi, tri prej të cilave janë me shërbim të rregullt me vrojtues plazhi të licencuar sipas legjislacionit në fuqi. Theksojmë se Bashkia Shkodër menaxhon tri kulla vrojtimi dhe ka bërë thirrje për punësimin e rojeve të plazhit, por nuk ka gjetur interesimin e tyre. Shërbimi i pastrimit në zonën e plazhit të Velipojës kryhet me sipërmarrje. Subjekti, sipas kontratës me bashkinë e kryen këtë shërbim dy herë në ditë në të gjithë plazhin e Velipojës. Janë 400 konteinerë për mbeturina, të shpërndarë sipas planit të shpërndarjes së hartuar për këtë qëllim. Në lidhje me kontrollin e zhurmave, Bashkia Shkodër ka hartuar një plan konkret masash për monitorimin dhe kontrollin e zhurmave në ambientet e plazhit të Velipojës, sipas të cilit janë përcaktuar qartë rolet dhe përgjegjësitë për zbatimin e tij”.

Categories: Sociale

Tagged as:

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.